HYRJE

ManzaraNë Kur'an, Allahu i përgjigjet të gjitha pyetjeve që ka nevojë të dijë njeriu përgjatë gjithë jetës së tij dhe jep zgjidhjet më të përsosura dhe më kuptimplota për të gjitha problemet që ngrihen. Ashtu siç thotë në vargun e dytë të sures Bekare: “Ky është libri që nuk ka dyshim në të. Ai është udhëzim për ata që ruhen.” Vargjet e tjera tregojnë se Zoti ynë ka shpjeguar gjithçka në Kur’an:

Në tregimet e tyre pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur'ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë dhe sqarues i çdo sendi e, edhe udhërëfyes e mëshirë për një popull që beson. (Sure Jusuf: 111)

… Ne ty të shpallëm Librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe përgëzim për Muslimanët. (Sure Nahl: 89)

Një njeri besimtar e jeton gjithë jetën e tij nën dritën e Kur’anit dhe përpiqet që ditë pas dite të verë në zbatim atë që ka mësuar në vargjet e tij. Në gjithçka që ai bën, që nga çasti që ngrihet në mëngjes e derisa shkon në shtrat në darkë, përpiqet të mendojë, të flasë dhe të veprojë i orientuar sipas busullës së Kur’anit. Allahu na tregon në Libër se ky përkushtim e sundon gjithë jetën e besimtarit.

Thuaj: "Falja ime dhe kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e gjithë botërave." (Enam Suresi, 162)

Por, disa njerëz mendojnë se feja është diçka që përbëhet nga disa rite në kohë të caktuara, se jeta është e ndarë në kohë për falje dhe kohë të tjera. Ata mendojnë për Allahun dhe jetën tjetër vetëm atëherë kur falen, agjërojnë, japin lëmoshë apo shkojnë në haxh në Mekë. Në kohë të tjera, ata janë të zhytur vetëm në jetën e kësaj bote. Jeta për ta është një luftë për mbijetesë. Njerëz të tillë janë thuajse plotësisht të ndarë nga Kur’ani dhe kanë qëllimet e tyre personale në jetë, ata kanë botëkuptimin e tyre përsa i përket moralit, kanë një pikëpamje krejtësisht të tyre përsa i përket botës dhe vlerave të saj. Ata as që e kanë idenë se çdo të thonë në të vërtetë vargjet e Kur’anit.

Një njeri që ndjek këshillat e Librit dhe Sunnetin e të Dërguarit të Allahut, (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të), si udhërrëfyes të jetës së tij, sigurisht, që do t’i japë asaj formë krejt ndryshe nga dikush me një qasje sipërfaqësore në fe. Një njeri i tillë nuk harron kurrë se është i nënshtruar ndaj fatit që Allahu ka caktuar për të dhe do ta jetojë jetën e tij duke besuar dhe duke iu mbështetur Atij. Brenda kësaj fryme, ai e di se nuk ka përse të ndihet në ankth, i frikësuar, i shqetësuar, shpresëhumbur, i dëshpëruar, apo i mposhtur nga paniku në kohë vështirësish. Ai do të përballojë gjithçka që i kalon rrugës së jetës së tij. Çdo fjalë, vendim apo veprim i tij tregon se ai e jeton jetën sipas Sunnetit, i cili është zbatimi në praktikë i Fjalës së Allahut. S’ka rëndësi se me se është i zënë, qoftë kur del shëtitje, kur ha ushqim, kur shkon në shkollë, kur studion, kur punon, kur merret me sport, kur bisedon me dikë, kur sheh televizor apo kur dëgjon muzikë, ai është i vetëdijshëm se ka përgjegjësi për jetën e tij dhe e jeton atë duke e kënaqur Allahun. Ai tregon kujdes të madh për çështjet që i janë besuar dhe në të njëjtën kohë është i preokupuar për të fituar kënaqësinë e Allahut në gjithçka që kryen. Ai kurrë nuk sillet në atë mënyrë që bie ndesh me këshillat e Kur’anit apo që kundërshton Sunnetin.

Të jetosh sipas vlerave të Islamit është e mundur vetëm duke zbatuar urdhërat dhe këshillat e parashtruara në Kur’an për çdo aspekt të jetës. Kjo, dhe praktika e Sunnetit është mënyra e vetme që njerëzit mund të arrijnë sukses dhe lumturi në këtë botë dhe në tjetrën. Zoti ynë na tregon në Kur’an se njeriu mund të bëjë një jetë të mirë vetëm duke kryer vepra të mira:

Çdokush që bën vepër të mirë, mashkull apo femër qoftë, e duke qenë besimtar, Ne do t'i japim jetë të mirë dhe do t'i kompensojmë me më të mirën e asaj që vepruan. (Sure Nahl: 97)

Me lejen e Allahut, të jetuarit sipas mësimeve të Kur’anit dhe Sunnetit u mundëson njerëzve të zhvillojnë një horizont të gjerë të të kuptuarit, u jep atyre një mençuri të lartë, aftësinë për të dalluar të mirën nga e keqja si dhe aftësinë për ta trajtuar një çështje në thellësi. Këto cilësi do t’i mundësojnë njeriut që i ka ato, të jetojë çdo moment të jetës së tij në lehtësi, e cila buron nga këto përparësi. Një njeri që jeton në bindje ndaj Allahut dhe përjetëson Fjalën e Tij do të jetë krejtësisht i ndryshëm nga njerëzit e tjerë në mënyrën se si sillet, ulet dhe ecën, në botëkuptimin e tij, në mënyrën si i shpjegon dhe interpreton gjërat dhe në zgjidhjet që gjen për problemet me të cilat përballet.

Ky libër do të shpjegojë veprat që kryen dhe ngjarjet me të cilat përballet çdo ditë të jetës Muslimani, i cili jeton sipas këshillave të Kur’anit. Libri, në shtjellimin e tij do të na tregojë se si duhet të sillet Muslimani ndaj ngjarjeve dhe situatave të përditshme. Qëllimi i tij është i dyfishtë: të na njohë me idenë e jetës së lumtur që vjen vetëm nëse jetësohen vargjet e Kur’anit dhe t’i ftojë të gjithë njerëzit në këtë jetë të vyrtytshme të ofruar nga mësimet e tij. Është e sigurt se, vetëm Fjalët e Kur’anit mundësojnë që njeriu të jetojë çdo orë dhe çdo çast të jetës së tij në një ambient paqësor i cili i ngjan Parajsës, larg nga stresi, shqetësimi dhe ankthi që kanë ngulfatur këtë botë.