ËNDRRA E PROFETIT JUSUF (AS)

REALIZOHETPROFETI JUSUF (AS) RIBASHKOHET ME FAMILJEN E TIJ

Kur Profeti Jakub (as) mori lajmin, bashkë me dëshminë që e mbështeste atë, se Jusufi (as) ishte gjallë, gënjeshtra që vëllezërit e tij e kishin mbajtur të fshehtë aq gjatë doli në shesh. Ata i kishin thënë babait të tyre se ai ishte mbytur dhe e kishin ngrënë ujqit, ndonëse Jusufi (as) ishte në të vërtetë akoma gjallë. Kur kjo u kuptua, fëmijët e Profetit Jakub (as) e lutën atë t’i falte ata:

Ata thanë: "O baba ynë, lutu për neve të na falen mëkatet tona, se me të vërtetë ne kemi qenë fajtorë!" "Më vonë do t’i kërkoj Zotit tim faljen tuaj", tha ai (Jakubi), se vërtet, Ai është që falë, është mëshirues. (Sure Jusuf: 97-98)

Nëse e analizojmë me vëmendje, Profeti Jakub (as) tha se do të kërkonte falje jo menjëherë por në një kohë më të vonshme. Pse të mos kërkonte Profeti Jakub (as) falje për bijtë e tij menjëherë? Ndoshta urtësia këtu qëndron në atë se ai dëshironte të shihte se çfarë do të ishte sjellja dhe qëndrimi i tyre i pastajmë. Ndoshta kishte dëshirë të shihte nëse ata me të vërtetë e kishin braktisur sjelljen e tyre të gabuar dhe nëse ishin me të vërtetë të sinqertë. Për këtë arsye, ndoshta ai do të lutej për ta kur të kishte formuar atë mendim (Padyshim se Allahu e di më së miri).

Sidoqoftë siç bëhet e qartë në fund të vargut, Profeti Jakub (as) i përkujtoi ata gjithashtu se Allahu është Ai që falë dhe është mëshirues. Ai e bëri këtë që ata të mund të shpresonin për falje prej Allahut dhe t’i drejtohen Atij me pendim të sinqertë.

Zhvillimet e pastajme rrëfehen në Kuran me këto fjalë:

(e morën familjen dhe shkuan) e kur hynë te Jusufi, ai i afroi pranë vetes të dy prindërit e tij dhe tha: "Me dëshirën e Allahut hyni në Egjipt të sigurt!" (Sure Jusuf: 99)

Gjëja e parë që Profeti Jusuf (as) bëri kur takoi familjen e tij ishte që t’i përqafonte ata dhe t’ju përkujtonte se ishin të sigurt. Nga ky varg mund të shihet se të përqafosh dikend është një shprehje e sinqertë e dashurisë. Të sigurosh dikend se janë të sigurt është një gjest i ndjeshëm që i bën ata të ndjehen të qetë. Kjo duhet të ketë ndikuar në mënyrë tejet qetësuese te këta njerëz që kishin bërë një udhëtim të gjatë dhe që kishin përjetuar peripeci të shumta për të kuptuar se tanimë mund të jenë të qetë dhe të ndjehen të sigurt. Kjo është një sjellje shembullore që besimtarët duhet të ndjekin. Të qetësosh një mysafir, një të huaj apo dikend nën kulmin tënd duke i siguruar ata se mund të ndjehen të lirë të gëzojnë sigurinë dhe rehatinë e tokës apo shtëpisë së dikujt është një gjest i bukur ndaj të cilit tërhiqet vëmendja në Kuran.

As mikpritja e as ndjeshmëria e Profetit Jusuf (as) nuk përfunduan me këtë. Respekti që Jusufi (as) shfaqi për prindërit e tij përshkruhet në Kuran si vijon:

Dhe ai të dy prindërit e vet i mori lart në fron (i uli pranë vetes), e ata iu përulën atij… (Jusuf: 100)

Ulja e babait dhe nënës së tij në fron është një shprehje e hirshme e respektit. Ata ishin më të vjetër se ai dhe veç kësaj babai i tij ishte një profet të cilin Allahu e kishte forcuar me dijeni. Ata treguan një përulje të madhe përballë sjelljes plot respekt të Jusufit (as).

Një vështrim i vëmendshëm zbulon se përkundër faktit se Profeti Jusuf (as) ishte djali i tyre dhe se ata ishin shumë më të vjetër se ai, ata u sollën me të me një përulje të madhe. Në varg thuhet se familja e tij u përul para tij. Kjo duhet të ketë qenë një shfaqje e respektit e përhapur gjithandej sipas zakoneve të asaj kohe, natyrisht se këtu nuk bëhet fjalë për kurrfarë “adhurimi”. Në mesin e njerëzve të paditur në rrethana të tilla krenaria ndërhyn dhe palët e përfshira ngurrojnë të sillen në mënyrë të sinqertë dhe me plot respekt. Në shoqëritë e paditura (injorante) njerëzit me fuqi i shmangen çfarëdo lloji të shprehjes së respektit siç është përkulja, në veçanti ndaj kujtdo që qëllon të jetë më i ri se ata. Mirëpo, sjellja e Profetit Jusuf (as) dhe e familjes së tij mbështetej në respekt, dashuri dhe përulje. Ky është një ilustrim i qartë se si do të duhej të ishte një familje besimtare.

Në këtë atmosferë, Profeti Jusuf (as) pastaj përshkroi gjithçka i kishte ndodhur atij dhe zbuloi funksionimin e përkryer të planit të Allahut:

(e ai tha): "O ati im, kjo është domethënia e ëndrrës sime të mëparshme. Zoti im këtë tanimë e bëri realitet, e mua më dhuroi mirësi kur më nxori prej burgut, e juve u solli nga fshati pasi djalli pat futur përçarje ndërmjet meje dhe vëllezërve të mi. Zoti im, me mjeshtëri e butësi realizon dëshirën e vet për çka dëshiron, vërtet Ai është i dijshmi, i urti. (Sure Jusuf: 100)

Do të rikujtojmë se Profeti Jusuf (as) kishte ëndërruar njëmbëdhjetë yje, diellin dhe hënën duke iu përkulur atij. Fakti se shumë vite më vonë gjendja e tij ishte e tillë që nëna e tij, babai dhe vëllezërit e tij treguan një respekt të madh dhe u përkulën para tij në shenjë respekti dhe fakti se vëllezërit e tij në veçanti erdhën tek ai kur kishin nevojë për të ishte përmbushje e asaj ëndrre.

Një vështrim i mëtejshëm prapë zbulon se gjersa Profeti Jusuf (as) ishte duke shpjeguar gjithë këtë, ai i drejtohej Allahut dhe lavdëronte emrin e Tij dhe shpjegoi gjithashtu se ngjarjet të cilat ai dhe familja e tij kishin përjetuar deri atëherë, të gjitha kishin ndodhur si pjesë e planit të Allahut. Ky është një lloj i të kuptuarit dhe të folurit shembullor që një besimtar duhet ta përvetësoj.

Një karakteristikë tjetër e Profetit Jusuf (as) që meriton të përmendet këtu është mënyra se si ai shihte anën pozitive të çdo gjëje dhe gjithçka shpjegonte në mënyrë të përshtatshme. Për shembull, ai tha se Allahu i kishte bërë atij një nder dhe e kishte liruar nga burgu. Ky është në kuptimin e plotë të fjalës qëndrimi që i ka hije një besimtari dhe dëshmi se ai i shikonte gjërat me një besim pozitiv dhe optimist. Profeti Jusuf (as) pra e bëri të qartë se ai ishte në anën e Allahut dhe iu shmang çfarëdo mënyre të sjelljes apo të folurit që ishte negative apo jofalënderuese për çfarëdo që Allahu krijon. Fakti se ai tha: “Zoti im, me mjeshtëri e butësi realizon dëshirën e vet për çka don, vërtet Ai është i dijshmi, i urti.” është dëshmi e kësaj. Në këtë mënyrë, Profeti Jusuf (as) shërben si shembull për të gjithë besimtarët.