• 1. Kaf, pasha Kur’anin e lavdishëm (do të ringjalleni)!

  • 2. Por jo, ata u çuditën që u erdhi i dërguari (qortues) nga mesi tyre, andaj jobesimtarët thanë: “Kjo është diçka shumë e çuditshme.

  • 3. A pasi të vdesim e të bëhemi dhe (do të kthehemi në jetë)? Ai kthim është larg (mendjes e mundësisë)!”

  • 4. Ne dimë se ç’pakësohet (ç’tret) toka prej tyre. Te Ne është edhe libri që ruan çdo gjë (numrin e tyre, emrat, pjesët e trupit).

  • 5. Ata përgënjeshtruan të vërtetën kur ajo u erdhi dhe ata janë në gjendje të luhatshme.

  • 6. A nuk shikojnë ata me vëmendje kah qielli se si mbi ta kemi ndërtuar atë, e kemi zbukuruar atë duke mos pasur në të ndonjë zbrazëti.

  • 7. Edhe tokën se si e kemi shtrirë, e në të kemi vendosur kodra përforcuese dhe kemi bërë që në të të mbijnë gjithfarë bimësh të bukura.

  • 8. (I bëmë ashtu) Dëshmi të dukshme dhe përkujtuese për secilin njeri që ka drejtuar mendjen (te Zoti).

  • 9. Ne, nga qielli lëshuam shiun e dobishëm dhe më të bëmë që të kultivohen kopshte e drithëra të korren.

  • 10. Dhe rritëm trungje të gjata hurmash me frua të paluara njëri mbi tjetrin.

  • 11. ushqim për njerëz, dhe me të, Ne e ngjallëm tokën e vdekur, e kështu do të jetë edhe ringjallja.

  • 12. Para tyre përgënjeshtruan populli i Nuhut, banorët e Bunarit (të pusit) dhe Themudi.

  • 13. Edhe Adi, edhe Faraoni dhe vëllezërit e Lutit.

  • 14. Edhe banorët e Ejkes, populli i Tubbeit. Të gjithë i përgënjeshtruan të dërguarit, atëherë e merituan dënimin Tim.

  • 15. A mos u lodhëm Ne me krijimin e parë? Jo, por ata janë në një huti rreth një krijimi të ri.

  • 16. Ne e kemi krijuar njeriun dhe dimë se ç’pëshpëritë ai në vetvete dhe Ne jemi më afër tij se damari (që rrah) i qafës së tij.

  • 17. Dhe se kur dy engjëjt qëndrojnë pranë tij në të djathtë dhe në të majtë.

  • 18. Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm.

  • 19. Agonia e vdekjes i vjen me atë të vërtetën (i zbulohet çështja e ahiretit); kjo është ajo prej së cilës ke ikur.

  • 20. Dje i fryhet surit, e ajo është dita e premtuar (për dënim).

  • 21. E do të vijë secili njeri bashkë me të dhe grahësi edhe dëshmitari.

  • 22. (I thuhet) Ti ishe në një huti nga kjo (ditë) e NE ta tërhoqëm perdën tënde dhe tash ti sheh shumë mprehtë.

  • 23. E shoku (përcjellësi) i tij do të thotë: “Kjo që është te unë (regjistri i veprave) është gati.

  • 24. Ju të dy (engjëjt) hidhinie në Xhehennem secilin mohues kryeneç.

  • 25. Secilin pengues të veprave, mizor e të dyshimtë në fe.

  • 26. I cili All-llahut i shoqëroi Zot tjetër, pra hidhnie atë në vuajtjet më të rënda”.

  • 27. E shoku i tij (djalli) thotë: “Zoti ynë, unë nuk u shmanga prej rrugës së drejtë, por ai vetë ka qenë i humbur larg”.

  • 28. Ai (All-llahu) thotë: “Mos u gridni tash para Meje, se Unë më parë ju tërhoqa vërejtjen.

  • 29. te Unë nuk ndryshon fjala (vendimi) dhe Unë nuk jam zullumqar për robërit”.

  • 30. (Përkujto) Ditën kur Ne Xhehennemit i themi: “A je mbushur?” E, ai thotë: “A ka ende?”

  • 31. Ndërsa besimtarëve të ruajtur Xhenneti u afrohet krejt afër.

  • 32. Kjo është ajo që u premtohet për secilin që pendohet dhe që e ruan besën e dhënë.

  • 33. Për secilin që i është frikësuar Zotit pa e parë dhe ka qenë i kthyer te Ai me zemër të sinqertë.

  • 34. (U thuhet) Hyni në te, të shpëtuar, se kjo është dita e përjetshme.

  • 35. Ata aty kanë çka të dëshirojnë, e te Ne ka edhe më shumë.

  • 36. E sa e sa brezni para tyre kemi shkatërruar e që ishin më të fortë e më të shkathët se këta (idhujtarët kurejshitë). Ata brodhën andej e këndej nëpër tokë (për t’i ikur vdekjes). Por, a mos gjetën rrugëdalje?

  • 37. Në të gjitha këto, për atë që ka mendje të shëndoshë dhe që i ka vënë me vëmendje, ka argumente.

  • 38. Ne krijuam qiejt e tokën dhe gjithçka ka ndërmjet tyre brenda gjashtë ditesh dhe Ne nuk ndiem lodhje.

  • 39. Po ti (Mumahed) me përballo atë që ata të thonë, para lindjes së diellit dhe para përendimit madhëro e falënderim Zotin tënd.

  • 40. Falu për të Tij edhe në një pjesë të natës edhe pas sexhdes (pas namazit farz).

  • 41. Dhe vëni veshin thirrësit kur thërret nga ndonjë vend i afërt.

  • 42. Ditën kur e dëgjojnë thirrjen për të vërtetën (ringjalljen), e ajo është dita e daljes (prej varrezave).

  • 43. S’ka dyshim se Ne japim vdekje dhe vetëm te Ne është kthimi i tyre.

  • 44. Ditën kur me ata hapet toka e ata nguten (për vendtubim), e ai është një tubim i lehtë për Ne.

  • 45. Ne dimë më së miri çka thonë ata, e ti ndaj tyre nuk je ndonjë dhunues, ti këshilloje me këtë Kur’an atë që i ka frikë kërcënimit Tim.